Projektet

Përkrahja Mjekësore në Prizren

Shkruar nga Korab Zhuja

Në emër të Distriktit Rotarian të Kosovës, sot nga Rotary Club Prizreni dhe ai Rotary Club Macadam është bërë shpërndarja e donacionit në mbështetje për QKMF në Prizren me pajisje mbrojtëse medicinale për stafin shëndetësor. Kryetarët e dy klubeve, Afërdita Morina-Biffar nga Rotary Club Prizren dhe Edona Turtulla-Rada nga Rotary Club Macadam me kolegët e tyre, dorëzimin e bënë në prezencën e drejtoreshës komunale të shëndetësisë, Burbuqe Berisha, e cila shprehi mirënjohje dhe falenderim për të dyja klubet për këtë donacion të vlefshëm për shëndetësinë primare në Prizren.

Duke e ditur se sistemi ynë shëndetësor ka nevojë për përkrahje dhe mbështetje të vazhdueshme nga donatorë dhe agjenci të ndryshme sidomos gjatë përballjes me pandeminë, Rotarianët Kosovarë përmes Komitetit të Fondacionit Rotary të Distrikt-053/Kosovë, kanë siguruar mbështetjen për projektin “Pandemia e COVID-19 në Kosovë”.

Mbështetja është siguruar nga Fondi i Katastrofave të Fondacionit Rotary, të Rotary International dhe vlera e materialeve në kuadër të këtij donacioni të shpërndara nga gjitha klubet është në shumën prej 24,850 USD. Me këtë donacion janë siguruar paketa me pajisje mbrojtëse për stafin mjekësorë dhe materiale tjera ndihmëse që përmban produkte si: maska kirurgjikale për fytyrën (3 palëshe), maska FFP2 – K95, syze mbrojtëse, doreza nitrile ekzaminuese dhe medicinale, alkool për dezinfektim, termometër balli me rreze infra të kuqe, puls oksimeter si dhe shtroja për pacient një përdorimshe.

Rreth Autorit

Korab Zhuja