Shërbimi para vetvetes
Motoja e parë e Rotary International “Më së shumti përfiton ai që bën shërbimin më të mirë” është aprovuar në Kuvendin e dytë Rotarian të mbajtur në Portland, Oregon, SH.B.A. në gusht të vitit 1911. Fjalia është thënë së pari nga rotariani i Çikagos Art Sheldon gjatë fjalimit të tij më 1910 kur tha, “Më së shumti përfiton ai që shërben më së miri miqtë e tij”. Pothuaj në të njejtën kohë, Kryetari i Rotary klubit të Mineapolisit, Minesota, SH.B.A. Ben Collins deklaroi se një mënyrë e duhur për organizimin e një Rotary klubi është përmes parimeve që i ka përcaktuar klubi – Shërbimi, jo vetja.
Këto dy sllogane paksa të modifikuara janë aprovuar si moto zyrtare të rotarianëve në Kuvendin e Detroitit më 1950 – “Më së shumti përfiton ai që bën shërbimin më të mirë” dhe “Shërbimi para vetvetes”. Këshilli për legjislacion më 1989 e ka deklaruar moton “Shërbimi para vetvetes” moto themelore të rotarianëve pasiqë e shpjegon më së miri filozofinë e shërbimit vullnetar jovetiak.